Presentazione del libro "La chiesa dei profughi" di M. Bellizzi

il . In Libri in recensione

Indice articoli

Kisha si Kujtesë dhe ansjelltas

Prof. Dr. Ardian Kyçyku

Nëse do të hartohej ndonjë enciklopedi vetëm e Mërgimit, arbëreshët do të duhej të zinin atje një vend nderi, ndonëse edhe enciklpoeditë, sikurse historitë, zakonisht shkruhen nga fitimtarët. Shkëputur dhunshëm nga trupi i kombit, me detin mes një ëndrre të humbur dhe një ëndrre për kthim, ose për mbijetesë, mendësia e një bote që nuk e njeh sa duhet Mërgimin do t’i kish përfshirë arbëreshët ndër të mundurit. Mirpo Mërgimi – ngjarje e shumëfishtë, me rrënjët njëherazi në tokë dhe në qiell, ka tjetër fjalor, metaforik, ku shpesh, në leximin e një fjale apo fjalie duhet kuptuar e kundërta. Arbëreshët patën bekimin të nisin një tjetër histori të kombit, si një ishull shqiptarie në mesin e detit latin, duke e kthyer Detin Adriatik në një metaforë, duke ruajtur e përkryer gjuhën amtare, doket, themelet shpirtërore dhe mjeshtërinë, ose dhuntinë e shqiptarit për t’u përshtatur e për ta marrë jetën nga e para. Kur sjell ndërmend letërsinë e jashtëzakonshme të arbëreshëve, thesarin e tyre me fjalë të urta, metaforat që nuk gjenden në asnjë letërsi tjetër, shkëlqimin e tyre të brendshëm që i mban gati në një kohë me lashtësinë greke e romake, apo me klasicizmin evropian, më vijnë pashmangshëm edhe dy vargje të Jeronim de Radës, rreth një vajze që pat ikur matanë një lumi (të kohës, të historisë?!):

Siç jeton ajo andej

ashtu rrojmë ne pas vdekjes...

Në njëfarë mënyre, arbëreshët rrojnë si ne pas vdekjes sonë, dhe ne rrojmë si ata pas vdekjes së tyre, bashkuar në shqipen e përhershme dhe në të njëjtin shpirt që nuk njeh dasi gjeografike, apo historike.

Dihet se çdo mërgimtar merr me vete jetën e vet të para-çrrënjosjes, pamjet e shtrenjta, dhembjet, pamundësitë, ciflat e ëndrrave të paplotësuara, fjalët, por edhe mënitë, faljet e pakërkuara etj. Malli, ose Mërgimi, përmbysin gjithçka, e nxjerrin mërgimtarin nga e përditshmja dhe e ndihmojnë të hyjë në të përhershmen e kombit të vet, duke e kthyer edhe çrrënjosjen në një tjetër lloj rrënjosjeje. Kufij e mënyra jetese ndryshojnë; brezni të tëra ikin nga kjo botë sikur të mos kenë jetuar kurrë; ngrehina e rrugë, ujra e trajta të tjera lënde bëhen pluhur, ose zëvendësohen nga trajta shpesh të pakuptueshme dhe / ose të papranueshme – dhe atëhere bota e parme, ajo me ngjarje e njerëz që vërtet nuk janë pjella të kinemasë, thërret në ndihmë Kujtesën. Çdorilindjenë troje të huaja është edhe një ringjallje e Kujtesës, një pasurim i saj, një mjet i pashitshëm për ruajtjen e shpirtit. Ecuria e ngjarjeve dhe të dhënat e librit „La chiesa dei profughi” përshkojnë me imtësi hapat e një bashkësie që, pasi kupton se ndodhet nën bekimin e Zotit dhe ripërshkon pa fjalë historinë e vet të brendshme, ndërton një kishë. Kisha mbetet shtëpia kryesore e bashkësisë, si Fillesa për botën. Jo rastësisht emërtimi i saj lidhet me Purgatorin: mërgimi, para se lartojë njeriun deri tek portat e Kujtesës, e sprovon me betejën pastruese mes thelbit të atyre që humbi dhe atyre që gjeti, e gjërave që ëndërroi të bënte dhe atyre që bëri, e atyre që tha dhe atyre që heshti. Atëhere Kisha nis, ruan dhe përmbyll fatin e shpirtit të bashkësisë.

E Përndershmja Kapelë e Purgatorit e Shën Vasilit, ndonëse e mban emrin falë vendit ku u ndërtua, ka diçka thelbësore edhe nga jeta e viganit të teologjisë orthodokse, Shën Vasilit të Madh, i cili, si hartues i lutjeve më të fuqishme për dëbimin e të paudhit, mes të tjerash, tha të „Mos ia falim veten tonë Zotit kur sosim në pleqëri dhe kur s’para kemi fuqi të mëkatojmë, por në rini, kur forcat i kemi ende të plota”. Kanë kaluar më shumë se pesë shekuj nga ngritja e kishës në Shën Vasil dhe kujtimi i saj, nderimi i atyre që e ndërtuan si shenjë falenderimi ndaj Zotit, dëshmon edhe një herë se ndërtuesit ia patën falur veten Krijuesit kur ishin fare të rinj e të njomë në Mërgim. Mario Bellizzi, poet krejt i veçantë dhe gjithnjë befasues, shkencëtar dhe intelektual me zë të qartë, jo vetëm nderon përmes këtij libri kujtimin e të parëve të vet, duke u shtuar dritë shpirtrave të tyre, por e rindërton kishën edhe në truallin e pacënueshëm të Kujtesës.

Këtej dhe përtej Detit,

shkurt 2014

Блогът Click here очаквайте скоро..

Full premium Here download theme for CMS

Bookmaker Bet365.gr The best odds.

Articoli suggeriti